Secondary Adv

Inflacioni mesatar vjetor për ushqimet në 2025, Shqipëria ndër më të ulëtit në Evropë

Rritja e çmimeve të naftës nga përshkallëzimi i konfliktit në Lindjen e Mesme pritet të transmetohet drejtpërdrejt edhe te ushqimet, duke rritur koston e jetesës në Evropë.

Sipas ekspertëve, nafta Brent ka kaluar shpesh mbi 100 dollarë për fuçi, ndërsa ndikimi nuk kufizohet vetëm te energjia, por prek të gjithë zinxhirin ushqimor, nga prodhimi deri te transporti dhe përpunimi.

 

Nga të dhënat, Shqipëria rezulton ndër vendet me inflacion më të ulët për ushqimet dhe pijet joalkoolike në vitin 2025, me vetëm 2.1%. Ky nivel është dukshëm poshtë mesatares së BE-së prej 3.3% dhe shumë më i ulët krahasuar me vendet e rajonit dhe Evropës Lindore, ku inflacioni i ushqimeve është dukshëm më i lartë.

 

Estonia kryeson me 7.0%, ndjekur nga Rumania me 6.8%, Letonia me 6.3% dhe Bullgaria me 6.2%. Në rajon, Maqedonia e Veriut dhe Sllovenia janë në nivelin 5.5%, Kroacia 5.3%, ndërsa Serbia 4.2%. Edhe vende si Gjermania dhe Franca kanë norma më të ulëta, përkatësisht 2.6% dhe 1.3%, por Shqipëria mbetet në grupin e vendeve me presion më të kufizuar inflacionist. Në ekstremin tjetër, Turqia paraqitet si rast i veçantë me një rritje të çmimeve të ushqimeve prej 33.1%.

 

Megjithatë, ky avantazh relativ mund të jetë i përkohshëm. Ekspertët paralajmërojnë se kriza do të ndikojë në çmimet globale të ushqimeve përmes disa kanaleve kryesore. Së pari, rritja e çmimeve të energjisë rrit kostot e prodhimit dhe transportit në të gjithë zinxhirin ushqimor.

 

Së dyti, shtrenjtimi i plehrave kimike, që sipas FAO pritet të jenë 15–20% më të larta në gjysmën e parë të vitit 2026, rrit kostot për fermerët dhe mund të ulë prodhimin bujqësor. Së treti, rritja e çmimeve të naftës nxit përdorimin e biokarburanteve, duke devijuar prodhimet bujqësore nga ushqimi drejt energjisë dhe duke kufizuar ofertën globale.

 

Evropa konsiderohet veçanërisht e ekspozuar për shkak të varësisë nga importet e energjisë dhe plehrave, sidomos përmes Gjirit Persik dhe Ngushticës së Hormuzit, nga ku kalon një pjesë e madhe e naftës dhe gazit global.

 

Në vitin 2025, rreth 60% e karburantit të avionëve dhe 20% e naftës dizel në Evropë vinin nga rafineritë e Gjirit, duke e bërë kontinentin të ndjeshëm ndaj ndërprerjeve.

 

Ndikimi i plotë në çmimet e ushqimeve nuk pritet të jetë i menjëhershëm. Sipas ekspertëve, ekziston një vonesë kohore mes rritjes së kostove të energjisë dhe reflektimit të tyre në raftet e supermarketeve, siç ndodhi edhe pas krizës së vitit 2022, kur inflacioni i ushqimeve në BE kaloi mbi 19%.

 

Aktualisht, efekti mund të ndihet më fort nga fundi i vitit dhe gjatë vitit 2026, kur kostot e prodhimit dhe ofertat më të kufizuara të fillojnë të reflektohen plotësisht në çmime.

 

Në këtë kontekst, edhe pse Shqipëria aktualisht ka një inflacion më të ulët të ushqimeve krahasuar me shumë vende evropiane, zhvillimet globale sugjerojnë se presionet inflacioniste mund të rikthehen, veçanërisht nëse kriza energjetike zgjatet dhe kostot e inputeve bujqësore vazhdojnë të rriten.

Burimi: Ekofin.al


Më të lexuarat